Kapiteni i Bosnjës në Superligën e Kosovës, në janar debuton në Evropian

Në Superligën e Kosovës në hendboll luan kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce.

Ai vlerësohet legjendë e hendbollit në vendin e tij. E ka udhëhequr Bosnjën drejt sukseseve më të mëdha të saj, ndërsa në janar do ta udhëheq në Evropianin debutues.

Prce është pjesë e skuadrës pejane, Besa Famgas. Karriera e tij në klube është impresive.

“Kapiteni 39-vjeçar i Bosnjës, Nikola Prce, është prej lojtarëve më me përvojë në Evropianin 2020. Ai ka luajtur në 17 klube në karrierën e mahnitshme dhe ka mbi 100 ndeshje me Bosnjë-Hercegovinën. Është pjesë esenciale e planeve të Bosnjës”, shkruan EHF-ja.

Besa Famgas sot nga ora 19:00 e pret Drenicën në javën e 14-të të Superligës së Kosovës. Nga ora 20:00 është ndeshja Trepça – Vëllaznimi.