Kane: Të anulohet kampionati nëse nuk përfundon deri në këtë muaj

Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane beson se stinori në Premier League të Anglisë duhet të anulohet tërësisht nëes nuk përfundohet deri në fund të qershorit.

Premier League është pezulluar së paku deri më 30 prill për shkak të koronavirusit, por pezullimi po pritet të jetë edhe më i gjatë.

“Mendoj se duhet të provojmë të përfundojmë stinorin. Por, duhet të jetë një pikë kur thua mjaft. Të luash deri në korrik apo gusht dhe të vonosh fillimin e edicionit të ri, nuk shoh shumë përfitim nga kjo. Për mua limiti kohor duhet të jetë fundi i qershorit. Nëse stinori nuk kompletohet deri në fund të qershorit, atëherë duhet të shikojmë opsionet dhe të koncentrohemi te edicioni i ardhshëm”, ka thënë Kane, shkruan BBC.

Ka pasur edhe thirrje nga të tjerët për anulimin e stinorit në Premier League. Por, vlerësohet se anulimi do të ishte padrejtësi e madhe ndaj Liverpoolit, që është shumë afër titullit të parë të Anglisë pas 30 vjetëve.

Liverpooli pas 29 ndeshjeve të zhvilluara kryeson me 82 pikë, 25 më tepër se përcjellësi i parë Manchester City.