Kampionati i basketbollit mund të mos nis fare: Ja kur pritet të vendoset

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës do të vendos brenda dy ditëve të ardhshme për edicionin aktual të garave. Njëra prej mundësive të mëdha është që kampionati mos të vazhdojë më.

Aktualisht është në fuqi vendimi i Bordit të FBK-së për pezullim të aktivitetit, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit. Megjithatë rrethanat po shkojnë në drejtim të asaj që mos të vazhdohet edicioni i mbetur në gjysmë.

Të dielën njëri prej klubeve pretendent për titull, Rahoveci, ka liruar basketbollistët e huaj. Te Rahoveci nuk e dinë nëse kampionati do të vazhdojë apo jo. Po ashtu edhe Bashkimi në konkurrencë të femrave ka liruar trajnerin Furkan Saglik, basketbollisten amerikane Khadija Brown-Haywood dhe lojtaret vendore Arbnore Përquku, Saranda Daci, Jeta Zeka e Arba hashani.

Dy vende evropiane kanë shpallur kampionët, duke njoftuar se nuk do të vazhdojnë edicionin aktual. Bëhet fjalë për Lituaninë dhe Belgjikën që kanë shpallur kampion skuadrat e para në tabelë. Ndërkohë FIBA Evropa ka njoftuar se tri gara të saj, dy të femrave dhe FIBA Eurpe Cup te meshkujt, nuk do të vazhdojnë.

Një vendim nga FBK-ja pritet të hënën ose të martën. “Jemi duke i shikuar mundësitë. Bordi i Federatës do të vendos nesër apo më së largu pasnesër. Ka mundësi që edhe ne nuk e vazhdojmë kampionatin, të shohim”, ka thënë të dielën për Koha.net, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

Nuk dihet nëse do të shpallet kampioni i Kosovës apo ky edicion do të mbetet pa kampion. “Është opsion që mos të vazhdohet. Jemi duke shikuar mundësitë si të përfundojmë edicionin. FIBA na përkrah në çdo vendim”, ka shtuar Dushku. Aktualisht i gjithë sporti kosovar është i pezulluar për shkak të koronavirusit. Masa është në fuqi deri në një vendim tjetër.