Kampion vjeshtor, Berisha zbulon çka shkoi mirë këtë edicion te Ballkani

Ballkani i Therandës në këtë edicion ka shkaktuar sensacion në futbollin e Kosovës.

“Portokallinjtë” e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi arritën që të shpallen kampion vjeshtor në një garë shumë të fortë me ekipe si Prishtina, Drita, Gjilani, Feronikeli apo Llapi.

Merita të mëdha në këtë sukses kishe edhe kapiteni Visar Berisha i cili ka përvojë edhe ndërkombëtare pasi që vite më parë ka luajtur edhe në Zvicër.

Në një bisedë për “Zëri”, ‘Viski’ ka folur për suksesin e jashtëzakonshëm të Ballkanit.

“Në klubin e Ballkanit synimet kanë qenë që të konsolidojmë një ekip me lojtarë të ri dhe të jemi sa më lart në tabelë. Por, gjatë rrugës arritëm rezultate të mira dhe u rritën apetitet dhe ambiciet e klubit. Besoj se jemi me plot meritë në vendin e parë”, ka thënë Visar Berisha

“Normalisht puna që është bërë në klub gjatë këtij viti po i jep frytet e veta. Jemi një klub i vogël dhe që gradualisht po rritemi dhe me hapa të sigurt dëshirojmë që të ecim drejt objektivave”, vlerësoi ish-futbollisti i Prishtinës, Visar Berisha.

Tutje, qendërmbrojtësi kosovar, foli edhe për njeriun e parë të klubit, presidentin Arsim Kabashi.

“Çelësi i suksesit në këtë kampionat ka qenë organizimi shumë i mirë që është bërë në klub dhe puna e palodhshme e presidentit Arsim Kabashi”, përfundoi Visar Berisha.

Krahas sukseseve në Superligë, Ballkani po shkëlqen edhe në Kupën e Kosovës.

Për ta arritur në 1/8 e finales, Ballkani e mposhti Dritën e Gjilanit pas ekzekutimit të penalltive në një ndeshje dramatike.

Kjo skuadër në këtë fazë do të përballet me Trepçën ’89.