Kampion pahiri!

Drejtuesit e Feronikelit pranojnë se disi si “pahiri” mbërritën deri te titulli i kampionit. Duke e ditur se nuk kanë fushë të veten dhe se në Kosovë është vështirë të fitosh pikë si mysafirë, ata iu kishin frikësuar rënies nga Superliga, sikurse një vit më herët. Andaj, i kishin angazhuar disa futbollistë të mëdhenj veç sa për ta shmangur rrezikun e frikën. Por në fund, me meritë përfunduan në vendin e parë

Feronikeli me plot meritë po e shijon titullin e kampionit, të cilin trofe klubi nga Drenasi e fitoi duke luajtur dhe ushtruar nëpër fusha të huaja, në mungesë të fushës së vet. Dhe, mënyra se si ka arritur deri te ky sukses historik, është e pazakontë.

Zëri shkruan se në një farë mënyre, “pahiri” arriti deri te titulli “Nikli”. Një gjë të tillë e pranojnë edhe vetë drejtuesit e këtij klubi, të cilët insistojnë se as që e kishin menduar vendin e parë para fillimit të kampionatit, apo në fillim të tij. Por, thonë se e arritën atë hap pas hapi.

“Ne ishim të vetëdijshëm se nuk kemi fushë tonën dhe ndeshjet e stërvitjet do t’i zhvillojmë në stadiume tjera. Duke e ditur se të gjitha ndeshjet do t’i zhvillojmë si mysafirë, mendonim se do ta kemi shumë problemë të fitojmë pikë, sepse në Kosovë nuk është lehtë të fitosh si mysafir. Frikësoheshim se mund të rrezikohemi për të rënë nga Superliga”, rrëfehet për “Zërin” drejtori Artan Berisha.

“Patëm filluar t’i bënim disa përforcime të mëdha, si Behar Maliqin, Xhevdet Shabanin, e këta lojtarët tjerë kualitativë, sepse besonim se vetëm me asi lojtarë mund të fitojmë më lehtë pikë si mysafirë dhe ashtu do t’ia dilnim të mbijetonim. Por, ekipi u komponua shumë mirë, trajnerët punonin shumë mirë, tifozët na jepnin mbështetje, kurse ne si kryesi i qëndronim afër ekipit. Kështu, filluam të fitojmë dhe ndeshje pas ndeshje ecnim përpara dhe mbërrimë titullin, të cilin vërtet e kemi merituar”, shtoi ai.

Berisha shpreson që “Nikli” t’i vazhdojë kontratat me shumicën e lojtarëve e trajnerëve me të cilët e fitoi titullin e parë në histori.

“Me shumicën e lojtarëve na skadojnë kontratat. Por, ata na kanë premtuar se primare do ta kenë Feronikelin. Pra, fillimisht preferojnë të mbesin në klubin tonë, nëse ne ua plotësojmë kushtet. Por, fillimisht do të flasim me Komunën, fabrikën dhe donatorët, për të ditur se a kemi mundësi t’i ndalim lojtarët e trajnerin apo jo”, thotë ai.

“Por, të paktën nga një kryesor do ta ndalim për secilën pozitë, por shpresojmë t’i ndalim të gjithë këta. Është ende herët dhe në ditët e javët në vazhdim të shohim si do të shkojnë gjërat”, shprehet Berisha.