Kajtazi: Jemi në udhëkryq

Trajneri i Prishtina Volley (meshkujt), Xhavit Kajtazi, ka kritikuar ashpër Federatën e Volejbollin të Kosovës njëkohësisht edhe kryetarin e saj.

“Që prej ardhjes së kryetarit të ri të Federatës së Volejbollit të Kosovës, ende pa ia nisur seriozisht punës, vërshyen mospajtimet, kritikat, madje edhe fyerjet, të cilat edhe sot e kësaj dite po vazhdojnë me të njejtin ritëm, herë-herë tepër denoncues…

Interesant! Ata (disa prej tyre) që ia dhanë votën kandidatit të tyre për t’u bërë kryetar, tash po e kritikojnë, madje edhe po e cilësojnë me gjithfarë epitetesh…

Pjesa tjetër që nuk e kishte votuar këtë kandidat, e që në fushatën parazgjedhore nuk pati lënë gur pa lëvizur vetëm e vetëm që të fitojë i përzgjedhuri tyre, për çudi u hesht dhe, pa një pa dy, disi heshturazi u ngjit në hierarkinë e shumë komisioneve, e të posteve, që për shumëçka ishte befasuese, aq më tepër, kur kundërshtarët e devotshëm, dolën jetësuesit e programit të kryetarit që nuk ia kishin dhënë votën…

Gjatë gjithë kësaj periudhe, u punua aq sa patën kapacitete dhe dije ardhësit në krye të federatës. Duke qenë këmbëngulës të jetësimit të vendimeve shumë pozitive që i kishin miratuar në fillim të mandatit të tyre, shumë shpejtë, i shkelën me të dyja këmbët. Ndër shkeljet më flagrante janë shumëfishimi i posteve, konflikti i interesit etj…

Ai që erdhi në krye, deri më tash ka zgjedhur një udhë shumë të njohur të viteve të tetëdhjeta, duke emëruar brenda natës në poste e detyra të caktuara kritikuesit, përkatësisht kundërshtarët! Në formën: shkarko njërin – emëro tjetrin! Dhe, kjo ka ndodhur dhe po ndodh vazhdimisht, sikur që pranë vetes ka ofruar njerëz që prej kohësh kanë qëndruar jashtë rrjedhave dhe zhvillimeve të volejbollit në Kosovë, por që janë shokë, miq dhe aleatë të tij…

Pas gjithë kësaj fushate, prapa të cilës fshehet synimi për ta zëvendësuar kryetarin e tashëm me një të ri, duket se gjërat nuk po lëvizin nga vendi. Me formën  tillë të kundërpërgjigjeve, karriga e kryetarit as që shqetësohet. Përkundrazi, ajo vetëm sa forcohet, madje edhe çimentohet! Një gjë është e sigurt, kryetari, apo kushdoqoftë, nuk shkarkohet me komente denoncime, kumtesa e cilësime gjithfare. Statuti i FVK-së është ai që sqaron gjithçka, madje edhe procedurën që duhet ndjekur për gjithçka që ka të bëjë me ecurinë ligjore, që nga votëbesim e deri te shkarkimi dhe dorëheqja e parevokueshme.

Para syve tanë ka më shumë se pesëmbëdhjetë vjet që po vepron edhe federata paralele e volejbollit me seli në Graçanicë, e cila këtyre ditëve mbajti edhe kuvendin zgjedhor. Kjo e ashtuquajtur federatë, që po i thonë paralele, nuk është duke vepruar vetëm në këto tri-katër vjetët e fundit. Ajo ka vepruar qëmoti. Skuadrat si Trepça e Mitrovicës, Partizani i Lipjanit, Graçanica e ndonjë tjetër stërvisin në Kosovë dhe luajnë në ligat e Serbisë!

Nuk e di, të paktën tash, pas pranimit të Federatës së volejbollit të Kosovës në FIVB dhe në CEV, nëse kreu i shtëpisë së volejbollit tonë ka ngritur zërin ndaj veprimin e kundërligjshëm të kësaj krijese paralele, ndërkohë që ka kohë që disa skuadra të komunitetit serb gjoja për paraqitje në garat e ligave të Kosovës kanë marrë donacione nga Federata e volejbollit të Kosovës, ndërsa nuk kanë zhvilluar gara fare. Në të vërtetë, kanë nisur me një ndeshje dhe, më pas, janë tërhequr nga garat…

Ka shumëçka për t’u thënë, por një gjë po shihet qartë: volejbolli i Kosovës vazhdon të mbetet në udhëkryq, për të mos thënë në një udhë pa krye!…”, shkruan Kajtazi.