Kabashi siguron ekipin: As vonesa e as ulje të pagave nuk do të ketë

Futbolli kosovar po vazhdon në javën e tretë të pezullimit, që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës si shkak i koronavirusit.

Për këtë gjendje ka folur Arsim Kabashi, presidenti i Ballkanit për emisonin ‘Sport Show’ në Klan Kosova, përcjellë Gazeta Olle.

Sipas tij, Ballkani nuk do të ketë problem t’i paguaj futbollistët gjatë kësaj kohe, por që nëse vazhdon kjo gjendje për muaj të tërë, atëherë situata mund të dalë paksa nga kontrolli.

“Shpresojmë të kalojë sa më parë kjo situatë. Nuk është kohë e gjatë që prej pezullimit dhe nuk kemi vështirësi në çështjet ekonomike, por nëse vazhdon kjo kohë për pak më gjatë atëherë mund të kemi probleme në këtë aspekt”, tha fillimisht Kabashi.

“Deri në këto momente jemi mirë me financa dhe unë sigurojë lojtarët që nuk do të ketë vonesa apo shkurtime të pagave. Normal do të ketë vështirësi në këtë aspekt për neve si klub, por shpresojmë që nuk do të zgjasë shumë kjo situatë”, tha tutje Kabashi.