Juventusi fiton përsëri mes polemikave, “hendbolli” i De Ligt nuk u akordua penallti as me VAR

Juventusi ka arritur ta rimarrë pozitën e liderit të tabelës së Serisë A, pasi siguroi fitore me epërsi minimale 1:0 në derbin e qytetit kundër Torinos, falë golit të shënuar nga Matthijs de Ligt.

Pasi Interi siguroi fitore kundër Brescias dhe e mori kreun e tabelës së Serisë A momentalisht, Juventusi i Maurizio Sarrit iu përgjigj me një paraqitje dominuese në derbin e qytetit kundër Torinos, përkundër që s’krijuan shumë raste të mira për të shënuar.

Përderisa skuadra e Sarrit i pati gjithsej 18 goditje, nëntë prej të cilave brenda kuadratit të portës, dy rastet e vetme të mira për të shënuar i takuan qendërmbrojtësit holandez Matthijs De Ligt.

De Ligti kishte qenë afër ta ndëshkojë Juventusin në pjesën e parë pasi që pothuajse e shkaktoi një penallti dhe e humbi rastin e vetëm të mirë të bardhezinjve në pjesën e parë.

Megjithatë, ai e kompensoi këtë në pjesën e dytë, kur e shënoi golin e fitores në minutën e 70-të të ndeshjes. Ky gol, i asistuar nga Gonzalo Higuaini, ishte i pari i karrierës së holandezit në Serie A.

Pikërisht De Ligt ishte pjesë e një momenti shumë të diskutueshëm, ku preku topin me dorë në zonë, mirëpo cuditërisht gjyqtarët nuk akorduan penallti, as me VAR!