Ju flet heroi i Gjermanisë

Gjermania është kualifikuar në çerekfinale të Evropianit pasi e ka mposhtur pa problem mbrëmë Sllovakinë me rezultat bindës, 3:0, në ndeshjen e vlefshme për të tetën e finales së “Euro 2016”.

Gjermanët kanë dominuar gjatë tërë lojës dhe kanë fituar me plot meritë, derisa sllovakët janë treguar të pafuqishëm, shkruan Zëri.

Jerome Boateng i ka kaluar gjermanët në avantazh në minutën e tetë, pasi iu kthye një top nga mbrojtja sllovake dhe qendërmbrojtësi shënoi një gol të bukur nga 20 metra.

Pesë minuta më vonë, gjermanët e kishin mundësinë ta shtonin avantazhin, por portieri Matus Kozacik e ndali penalltinë e Mesut Ozilit (13’), të cilën e kishte nxjerrë Mario Gomez.

Ky i fundit e ka shënuar golin e qetësisë për “Die Mannschaft” në minutën e 43-të, pasi e mori një top nga e majta nga Julian Draxler.

Ndërkaq, Draxler i dha vulë këtij takimi me golin e shënuar në minutën e 63-të. Madje, ky i fundit u zgjodh edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes, pas paraqitjes solide të cilën e shfaqi.

“Unë vetëm doja ta ndihmoja ekipin. Ndeshja e fundit nuk ishte e lehtë për mua, pasi nuk luajta. Sot e kisha një mundësi tjetër dhe jam krenar që munda ta ndihmoja ekipin”, ka thënë sulmuesi gjerman.

“Jam i lumtur që e bëra një paraqitje të mirë sot dhe që isha i aftë ta ndihmoja ekipin. Është e vështirë për mua ta them nëse kjo ishte paraqitja e dytë më e mirë për Gjermaninë në nivelin personal. Të tjerët mund ta vlerësojnë këtë”, vazhdoi ai.

Draxler thotë se Gjermania ka ekip të fortë, që ka mundësi t’i provojë të gjithë lojtarët. Ai shton se trajneri i ka dhënë besim dhe ia ka bërë të qartë se është lojtar i mirë.