Ju flet ‘exheli’ i Prishtinës

Kapiteni Shpëtim Idrizi mund të konsiderohet si ‘exhel’ i skuadrës së Prishtinës. Ai gjatë karrierës së tij me Trepçës ’89, ka arritur që ti shënojë plot tetë gola ndaj skuadrës kryeqytetase, shumica e tyre spektakolar.

Trepça ’89 – Prishtina përballen nesër në ‘Riza Lushta’ në kryendeshjen e javës së gjashtë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. “Sikurse çdo takim tjetër, edhe ndaj Prishtinës jemi përgatitur maksimalisht. E kemi filluar kampionatin shumë mirë në pesë xhirot e para dhe shpresoj shumë se edhe në takimin e nesërm të marrim maksimumin e pikëve”, ka thënë para ndeshjes për Gazetaolle.com, Shpëtim Idrizi.

Në pyetjen se a pret që edhe nesër të realizojë gol, lojtari i njohur si ‘Shputa’, deklaroi: “Është e qartë se secili futbollist ka dëshirë të shënojë gola, në çdo takim. Por, nesër me rendësi është që ta fitojmë ndeshjen, nuk ka rëndësi se kush shënon”.

Ky takim zhvillohet nga ora 16:00.