Java sportive evropiane organizohet në Kosovë

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njëherësh drejtuesit e Trupës Kombëtare për organizimin e Javës Evropiane të Sportit, Daut Thaçi – këshilltar për sport i ministrit Kujtim Gashi, Brikena Mulliqi – drejtore e Departamentit të Integrimit Evropian dhe Koordinimit të Politikave dhe Feim Hoxha – drejtor i Departamentit Ligjor në MKRS, po marrin pjesë në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian.

Aktiviteti dy ditësh po organizohet në Riga të Letonisë lidhur me organizimin e Javës Sportive Evropiane që do të mbahet në fund të shtatorit të këtij viti. Kosova për herë të parë organizon një ngjarje të këtillë.

Përfaqësuesit nga Kosova do të marrin përvojat e Letonisë si dhe vendeve tjera që më parë kanë organizuar këtë ngjarje sportive në mënyrë që Kosova të organizojë me sukses Javën Evropiane të Sportit.