Januzaj asnjëherë nuk arriti ta kapitalizojë talentin e madh

Një pasim mjeshtëror e ka kthyer sërish në skenë futbollistin që për kohë të gjatë është vlerësuar talent shumë i madh – Adnan Januzajn. Të dielën mbrëma Januzaj u aktivizua për Real Sociedadin në minutën e 84-t, ndërsa në minutën e 89-të asistoi për Portun që shënoi golin e fitores (2:1).

Sociedadi fitoi në udhëtim ndaj Granadas dhe kështu barazoi pikët me Barcelonën e Real Madridin në krye të klasifikimit në La Ligan spanjolle. Të tria skuadrat i kanë nga 22 pikë, por Sociedadi ka një ndeshje më shumë të luajtur (12), shkruan sot Koha Ditore.

Momente si ai i shpërthimit në finish të ndeshjes me Granadan janë pritur më shumë në karrierën e deritashme të Januzajt. 24-vjeçari po del rrallë nga inferioriteti dhe deri më tash nuk ka arritur ta kapitalizojë talentin e madh që i është identifikuar në moshë fare të re.

Lojtari që në moshë shumë të re kishte luajtur te Manchester Unitedi dhe që kishte vendosur disa ndeshje, nuk po ia del të stabilizohet në përbërjen bazë të Sociedadit, skuadër kjo mesatare në kampionatin spanjoll. Katër ndeshjet e kaluara ai i kishte përcjellë nga stoli i rezervistëve. Nuk ka kompletuar asnjë nga shtatë ndeshjet që i ka luajtur, ndërsa në katër prej tyre ka startuar.