Ja çfarë shkruajnë mediat rumune për Milot Rashicën

Një gjigand Europian ka zili Shqipërinë. Kjo për faktin se Kombëtarja kuqezi, ka në përbërje një talent të jashtëzakonshëm si Milot Rashica. Bëhet fjalë për Rumaninë, rivalin e Shqipërisë në Grupin A të finaleve të Euro 2016.

Një skuadër që numëron 7 pjesëmarrje në Kupën e Botës, ku rezultati më i mirë ishin çerekfinalet në edicionin e vitit 1994. Po kaq aktivizime në fazën finale të Kampionatit Europian, ku në vitin 2000 arritën çerekfinalet.

E kualifikuar si e dyta në Grupin F, pas Irlandës së Veriut, me një ecuri ku nuk pësoi asnjë humbje, ndërsa u shpall skuadra me mbrojtjen më të mirë, me vetëm 2 gola të pësuar në dhjetë ndeshje.

Edhe pse cilësohen si një rival tejet i vështirë për Shqipërinë, në grupin ku luajnë edhe Franca organizatore dhe Zvicra, rumunët i tremben faktit që Milot Rashica mund të jetë në fushë më 19 Qershor në sfidën që do të luhet në Stade de Lumieres të Lyon-it. Gazeta e mirënjohur rumune, ProSport i kushtoi një artikull të veçantë yllit 19-vjeçar shqiptar që po mahnit Eredivisien holandeze, me shpejtësinë, teknikën dhe golat te Vitesse.

Duke kujtuar vështirësitë e karrierës së nisur në Kosovën e pas-luftës, dëmtimin e rëndë në gju dhe kurimin e specializuar të mundësuar nga ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala. Sipas të përditshmes, Rashica ëndërron të jetë pjesë e Shqipërisë në Euro 2016, ndryshe nga futbollistët e Steauas së Bukureshtit, klub që gjashtë muaj përpara startit të Kampionatit Europian nuk pranoi të lejonte futbollistët t’i bashkoheshin kombëtares.

Rumunët e kanë zili Shqipërinë edhe për faktin se Milot Rashica u përfshi në listën e 50 talentëve më të mëdhenj në botë nga “Gazzetta dello Sport”. Sulmuesi kuqezi pozicionohej i 32-ti, ndërsa Rumania ishte ekipi i vetëm nga Grupi A, që nuk kishte asnjë lojtar në renditjen speciale të yjeve të së ardhmes.