Ja sa do ta paguajë Skënderbeu futbollistin kosovar

Skënderbeu duket se më në fund ka piketuar goditjen e parë në afatin e janarit.

Burime të gazetës “Panorama” bëjnë të ditur se pas një sërë bisedimesh futbollisti kosovar, Xhevdet Gela është një nga futbollistët që pritet të afrohet në këtë afat, transmeton Gazeta Olle.

29-vjeçari luan si mesfushor qendre dhe tashmë ka shpalosur në tryezën e korçarëve kërkesat e tij. Shtatlarti nga Kosova luan në Finlandë me skuadrën e Lahtit.

Këtë sezon futbollistik është aktivizuar në 14 ndeshje, por nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Në karrierën e tij si futbollist profesionist Gela ka luajtur gjithmonë në kampionatin finlandez me përjashtim të një aventure të shkurtër në Poloni. Në total, në karrierën e tij ka shënuar 23 gola.

Skënderbeu është i gatshëm për të bindur mesfushorin dhe t’i ofrojë një kontratë për dy vjet e gjysmë me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër, si dhe një pagë që shkon rreth 3 mijë euro në muaj.

Sipas po të njëjtave burime, bardhekuqtë ia kanë ofruar 29-vjeçarit një gjë të tillë dhe janë në pritje të përgjigjes së Gelës.