Ja oferta e Napolit për Hysajn

Elseid Hysaj gjithnjë e më pranë Napolit. Sipas mediave italiane, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare pritet të firmosë me klubin e presidentit De Laurentis në javët e ardhshme.

Transferimi duket fakt i kryer, për më tepër që ish-trajneri i Empolit, Sarri, tashmë nën drejtimin e të kaltërve, po insiston që përveç Hysajt, të marrë edhe mesfushorin e Kombëtares italiane, Mirko Valdifiori, që mbylli sezonin në një ekip me shqiptarin.

Portali prestigjioz italian, “sportmediaset.it”, shkruante dje se Napoli do të shpenzojë 12 milionë euro për të blerë kartonin e Hysajt dhe Valdifiorit.

Mediat pranë skuadrës napolitane theksonin dje se nga kjo shifër, 4 milionë euro pritet të jepen për shqiptarin, ndërsa për Valdifiorin shuma më e madhe prej 8 milionë eurosh.