Ja kritikat e kreut të Pejës, Art Gashi

Kreu i Pejës, Art Gashi, ka reaguar ashpër pas dënimit të Komisarit të Garave të FBK-së për skuadrën e Pejës.

Kjo e fundit u dënua me përjashtim nga ETC Superliga dhe 3000 euro, pasi nuk e vazhdoi mbrëmë ndeshjen me Sigal Prishtinën.

Gashi theksoi se ky vendim është më i rëndi i dhënë ndonjëherë, teksa sqaron se skuadra e tij nuk e pati qëllim ndërprerjen e ndeshjes.

“Ky është vendimi më i rëndë që ka marrë federata e basketbollit prej pas luftës gjerë tani ndaj një klubi. Nuk e di a ka në sporte tjera vendime të tilla. Nuk e di a i ka marrë për bazë të gjitha faktet që ne i kemi paraqitur”, u shpreh Gashi për Gazetën Express.

“Ne kemi dashtë të kthehemi në fushë, e kanë pa të gjithë, e ka parë kryetari dhe komisari i garave. Sinqerisht, ne kemi dashur të vazhdojmë, por kemi kërkuar masa më të rrepta sigurie pasi një tifoz u fut në parket”, shtoi tutje kreu verdhezi.

Ai thotë se Prishtinës i konvenoi të shpallet kampion në këtë mënyrë, sikurse që i konvenoi FBK-së ta shpall këtë skuadër si më të mirën.

“Dikujt i konvenon të shpallet kampion në këtë mënyrë, dikujt ta shpall dikë kampion. Vitin tjetër shpresojmë se ata do të gjejnë një kundërshtar për të shkuar deri në finale dhe për ta mposhtur Prishtina lehtë”, tha Gashi.

Ky i fundit njofton se klubi sonte do ta mbaj një mbledhje për të diskutuar se cfarë do të ndodh më tutje. Ai ndihet i befasuar edhe me një pjesë që mungon në vendimin e FBK-së.

“Asnjë vendim nuk e kam parë që mungon pjesa e ankesës. Në këtë vendim që e pash, nuk ishte lënë fare vendi për ankesë”, përfundoi kreu verdhezi.

Ky i fundit udhëheq me Pejën tash e katër vjet, ku arriti që ta fitoj titullin e Superligës si dhe këtë vit e fitoi trofeun e Kupës së Kosovës.