Ja çka po ndodh me Mentor Mazrekajn

Mentor Mazrekaj po zhvillon sezonin e tretë me fanellën e Partizanit dhe me lojën e tij është një nga pikat më të forta të kryeqytetasve. Këtë edicion lojtari ka kaluar disa probleme fizike, gjë e cila është parë edhe me zëvendësimet e shpeshta. Duke ditur cilësitë e kosovarit, stafi, por edhe vetë lojtari, në disa raste ka preferuar që të sakrifikojë për ekipin.

Përsëritjet e shpeshta të lëndimeve i kanë vënë në lëvizje pjesëtarët e stafit, të cilët për shëndetin e Mazrekajt janë konsultuar edhe me ekspertë të fushës nga Italia. Para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, trajneri Sulejman Starova ka diskutuar për çështjen “Mazrekaj” me përgatitësin atletik të ekipit, Cristiano Gianotti. Mësohet se italiani i ka këshilluar trajnerit që lojtari duhet të qëndrojë 8 ditë pushim absolut, në mënyrë që të shikohet se nga i vjen kontraktimi, shkruan ‘Panorama Sport’.

Sipas konsultës është vendosur që Mazrekaj të lihet pushim, në mënyrë që ai të mbahet në monitorim dhe të gjendet shkaku i dëmtimit, që situata të mos bëhet e pa qartë. Pas diskutimit mes trajnerit dhe përgatitësit atletik, Starova ka thirrur mesfushorin për t’i sqaruar vendimin e tyre. Por, lojtari nuk ka pranuar që të rrijë pushim, pasi ai u ka pohuar atyre se ndihet i gatshëm dhe do që të luajë në ndeshjen e radhës me Flamurtarin në Vlorë.