Italia cakton datën kur mund të nis Serie A

Koronavirus ka gjunjëzuar Italinë, ka ndalur futbollin në këtë vend, ashtu si në mbarë globin, në fakt. Pandemia në fjalë ka karantinuar skuadra dhe futbollistë, ndërsa janë shënuar edhe të infektuarit e parë nga ky sport.

Tashmë të gjithë mendojnë për jetën e qytetarëve, para së gjithash. Natyrisht, personat përgjegjës shqetësohen edhe për futbollin, sepse në një situatë të tillë krize botërore, vështirë të jetë më si më parë.

Në Serie A, fjala vjen, ka nisur të flitet për uljen e pagave të futbollistëve, pas goditjes së rëndë financiare që kanë marrë klubet nga izolimi. Vetë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, e mbështet këtë ide:

“Nuk është tabu të mendosh për uljen e pagave të lojtarëve. Këtu iu referohem veçanërisht atyre niveleve më të larta. Na kërkohet të gjithëve të bëjmë një veprim të përgjegjshëm në një situatë të tillë”, ka thënë Gravina.

“Kemi ngritur si hipotezë rinisjen e Serie A më 3 maj, për ta mbyllur më 30 qershor. Gjithsesi, periudha më optimiste është 14 prilli, e dyta fillimi i majit dhe e fundit 13 qershori. Duke marrë parasysh hipotezën më të keqe, pra që nuk do të mund ta përfundojmë sezonin brenda qershorit, ne do t’i kërkojmë qeverisë, UEFA-s dhe FIFA-s që të shfrytëzojmë 10-15 ditë në korrik”, ka përfunduar Graviba.