Istogu fiton turneun ndërkombëtar në Gjakovë

Istogu e ka fituar turneun ndërkombëtar të hendbollisteve që për dy ditë është mbajtur në Gjakovë. Është klubi gjakovar Shqiponja që e ka organizuar turneun tradicional “Shqiponja 2000”.

Në këtë edicion morën pjesë Shqiponja, Istogu, Nikshiqi i Malit të Zi dhe Çairi i Maqedonisë së Veriut.

Ndeshjet gjysmëfinale janë luajtur të enjten. Fillimisht Nikshiqi e mposhti Shqiponjën me rezultat 31:24, ndërsa në ndeshjen e dytë Istogu shënoi fitore të ngushtë ndaj Çairit me rezultat 24:23.

Të premten u luajtën ndeshjet përfundimtare. Për vend të tretë luajtën Shqiponja e Çairi, kurse fitoi Shqiponja me rezultat 32:24. Ndërkohë finalja në mes të Istogut dhe Nikshiqit i takoi skuadrës tonë.

Kampioni i Kosovës fitoi me rezultat 33:30. Kapitenja e Istogut, Albina Rugova është shpallur lojtarja më e mirë e turneut. Alma Nivokazi me 26 gola ishte golashënuesja më e mirë, ndërsa Fillesa Ferizaj u shpall portierja më e mirë. Nivokazi e Ferizaj luajnë për Shqiponjën.