Ismet Munishi te Prishtina?

‘Timonieri’ kosovar Ismet Munishi, me gjasë do të bëhet me klub të ri. Trajneri më i mirë në Kosovë për vitin e kaluar, është në negociata me skuadrën e Prishtinës, klub në të cilin pritet që të emërohet në rolin e drejtorit sportiv, pozitë e cila nuk funksionin në klub më të madh kosovar.

Munishi në një prononcim për Gazetaolle.com, njofton se javën që vjen do ta ketë një takim kokë me kokë, me presidentin e këtij klubi, Remzi Ejupi. “Besoj se javën që vjen do të takohem me Remzi Ejupin dhe pres që të arrijmë një marrëveshje. E kam formuluar një plan-program, për të cilin opinionin do ta njoftojë në ditët në vijim. Konsideroj se është program shumë i mirë e të cilin do ta zbatojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Ismet Munishi.

Ditë më parë ai ka pranuar një ofertë është nga skuadra e Gjilanit, skuadër e cila e ‘preu’ një ‘biletë’ për elitën e futbollin kosovar, në këtë edicion. “Realisht, primare mbetet Prishtina. Mirëpo, nëse nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët, do t’i shqyrtojë ofertat e tjera”, përfundoi Ismet Munishi, i cili si trajner e ka drejtuar Llamkos Kosovën (Kosova e Vushtrrisë) dhe Hajvalinë. Ai ka një bagazh të pasur edhe si futbollist pasi që ka luajtur në kampionate të ndryshme në Evropë.