Ismajli: Kombëtarja ka nevojë për harmoni, besoj te 6 pikët në dy ndeshje

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Durrës për dy eliminatoret e muajit qershor, kundër Islandës dhe Moldavisë. Në konferencën e sotme për shtyp kanë dalë Armando Sadiku dhe Ardian Ismajli.

Ky i fundit, që sot ishte zgjedhur edhe në “top-formacionin” e sezonit në Kroaci, ku luan, është shprehur optimist për ngjyrat kuqezi, sidomos me ardhjen e trajnerit të ri, Edy Reja: “Jam i kënaqur nga paraqitjet personale në nivel klubi dhe me kombëtaren. Kjo, edhe falë mikpritjes së lojtarëve këtu. Më kanë mbeshtetur shumë, ndaj iu them faleminderit të gjithëve. Shpresoj t’ua kem shpërblyer në fushë, sa herë kam luajtur.

A ndryshon situata, me rokadën e trajnerëve? Nuk e di, nëse do të ketë ndryshime, por ekipi ka nevojë për harmoni. Megjithatë, gjërat i di më mirë trajneri i ri. Ai vendos për gjithçka. Unë kam luajtur më parë me Kosovën, por kam zgjedhur Shqipërinë. Nuk kam asnjë pendesë për këtë lëvizje. Kosova po paraqitet vërtet mirë, ndaj iu uroj suksese shokëve të mi atje. Shqipëria po kalon ngërçet e veta, por do t’i kalojë shumë shpejt ato dhe do të ngjitet ku i takon.

Islandezët janë të fortë fizikisht? Kjo dihet, unë e kam për detyrim t’i studioj sulmuesit dhe mesfushorët kundërshtarë, ndaj të cilëve duhet të luaj. I kam parë lojtarët e Islandës se si luajnë në klubet e tyre. Kjo kombëtare nuk është ajo që ka qenë, ndaj kemi shpresa. Besoj se do të marrim pikë. Trajneri Reja mund të luajë me pesë lojtarë në mbrojtje (5-3-2)? Nuk është problem për mua. Kam luajtur me tre, katër dhe pesë mbrojtës, si te Kosova, edhe te Hajduku. 

Merkatoja? Ka pasur interesim për mua, para disa muajve, por tani për tani jam i fokusuar te kombëtarja. Mbas ndeshjeve eliminatore do të ulem me menaxherin dhe do të analizojmë gjithçka, për të vendosur mbi të ardhmen time.
Objektivi i këtyre kualifikueseve? Nëse marrim tri pikë ndaj Islandës, gjithçka mund të ndodhë. Pastaj presim Moldavinë në shtëpi dhe, pa e nënvlerësuar atë, kemi shanse për tri pikë të tjera. Pra, ngjitemi në kuotën e 9 pikëve. Le të mendojmë për Islandën për momentin, si t’i kundërvihemi asaj. Ne shkojmë me optimizëm në këtë transfertë”.