Ish-trajneri i Kosovës ia propozon futbollistin e Prishtinës Challandesit, ja reagimi i lojtarit kosovar

Futbolli i Kosovës tashmë e ka një yll të ri, i cili po shndrit në fushat e gjelbra të futbollit kosovar.

Fjala është për mesfushorin Meriton Korenica, i cili po mahnit me paraqitjet e tij në fanellën e Prishtinës. Futbollisti i lindur në Rahovec në katër ndeshjet e fundit me Bardhekaltrit i ka realizuar shtatë gola për t’u shndërruar në “exhel” për portierët e Superligës.

22-vjeçari ua ka fituar zemrat tifozëve të Prishtinës, “Plisave”, ndërkohë që në një intervistë për gazetën “Zëri” shprehet i lumtur për formën e treguar te ekipi kryeqytetas.

Ish-trajneri i Përfaqësueses së Kosovës Edmond Rugova ditë më parë në një intervistë televizive ka propozuar që Meriton Korenica të ftohet nga përzgjedhësi i Përfaqësueses A, Bernard Challandes. “Korenica është një djalosh me perspektivë dhe them se Kosova ka talente të shumta, andaj do të ishte mirë nëse do të ftohej nga Challandesi. Ne duhet të krijojmë mundësi që futbollistët të cilët luajnë këtu ta përfaqësojnë Kosovën”, vlerësoi Edmond Rugova.

Image

Korenica e komenton kështu një ftesë eventuale nga Challandesi. “E falënderoj trajnerin Rugova për vlerësimin. Normalisht se çdo lojtar e ka ëndërr ta përfaqësojë shtetin e tij. Unë i kam kaluar grupmoshat e Kosovës U-19 dhe U-21 të Kosovës dhe jam gati për Përfaqësuesen A. E imja është të vazhdoj me formë të mirë. Sa i përket ftesës, vendos trajneri”, ka deklaruar Meriton Korenica për gazetën Zëri.

Korenica është 22-vjeçar.

Image