Ish-sulmuesi i Prishtinës shihet në stërvitje te skuadra e madhe shqiptare

Mario Morina “ka lon” te bardhe blutë. Ama deri në janar. Sulmuesi do të stërvitet me skuadrën që drejtohet nga Julian Ahmataj dhe nëse ia del të jetë në formë, mund të ketë një shans për të qenë pjesë e Tiranës. Sulmuesi tiranas që më parë ka veshur fanellën bardheblu prej dy ditësh është pjesë e grupit.

Ai ka marrë leje te drejtuesit dhe do të stërvitet me skuadrën e Tiranës. Dje ai ka qenë nën urdhrat e Julian Ahmatajt, por nuk ka marrë pjesë vetëm në ushtrimet taktike që ndërtoi elbasanasi i bardhebluve në funksion të ndeshjes me Skënderbeun. Në fakt, dukej qartë se Morina duhet të punojë shumë për të arritur në formën optimale.

Futbollisti nëse ia del që të bëhet gati për të luajtur në janar, mund të fitojë një kontratë te bardheblutë, ndonëse synimi është për të kaluar ndoshta në kampionatin kosovar ose në një nga skuadrat shqiptare.

E KALUARA – Mario Morina është një emër i njohur i bardhebluve. Ka dalë nga akademia e Tiranës dhe në dy periudha të ndryshme ka veshur për më shumë se 100 ndeshje fanellën bardheblu. Në karrierën e tij me Tiranën, ai ka shënuar më shumë se 25 gola, ka fituar tri Kupa të Shqipërisë, tri Superkupa të Shqipërisë dhe konsiderohej një nga talentet e mëdha të bardhebluve, që gjithsesi, nuk ia doli të luante shumë kohë në nivele të larta.

Morina mbylli në maj të 2019- ës një aventurë me Prishtinën në Kosovë dhe firmosi për Luftëtarin, skuadër me të cilën nuk qëndroi shumë, duke e braktisur pa nisur mirë sezoni, pasi gjendja në Gjirokastër ishte jonormale. Veç Tiranës dhe Prishtinës, sulmuesi ka luajtur me Skënderbeun, Laçin, Flamurtarin, Kukësin, Kamzën, Besën dhe Dinamon. Sezonin më të mirë me gola e ka me Kamzën ku në sezonin 2016-2017 shënoi dhjetë herë./Panorama Sport