Ish-sekretari i FFK-së: Nëse kryetari vdes, ky person merr mandat katërvjeçar

Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fatos Hoxha, ka thënë se, sipas statutit të Federatës, edhe nëse kryetari aktual vdes, kryetarit tjetër i takon mandat katërvjeçar.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë dy javëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, shkruan Gazeta Express.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020 pasi që mandati i tij është vetëm vazhdim i mandatit të Fadil Vokrrit të ndjerë. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Megjithatë, Hoxha thekson se statuti i Federatës nuk e mbështet këtë pretendim të Ahmetit, pasi që edhe nëse një kryetar vdes, zëvendësuesi i tij zgjidhet me mandat katërvjeçar.

“Nëse mandati i një kryetari mbetet në gjysmë? Zgjidhet tjetri për mandat katërvjeçar. E parasheh këtë statuti”, ka thënë Hoxha në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Pika katër e nenit 33 thotë: “Nëse zbrazet një vend në KE, Kuvendi e zgjedh zëvendësuesin, për pjesën e mbetur të mandatit”. Kjo vlen për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që vijnë nga rajonet, është e qartë që kjo pikë s’vlen për kryetarin”.

Megjithatë, Hoxha beson se në vitin 2018 nuk pati nevojë të bëhen zgjedhje, pasi që ai thotë se Ademi mund ta kishte kryer punën e kryetarit si nënkryetar i parë, derisa të vijë koha dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të ri.