Ilir Berisha: Arrijmë suksese në Kosovë dhe në Evropë, ja pse zgjodha Feronikelin

Ilir Berisha iu rikthye futbollit kosovar, për t’u prezantuar sot te kampioni në fuqi, Feronikeli.

Mbrojtësi shtatlartë, në një intervistë për gazetën, ka treguar se pse ka zgjedhur Feronikelin.

“Superligën e Kosovës e kam përcjellur mjaft pasi kam relacione shumë të afërta me futbollistët thuajse nga gjitha ekipet kosovare dhe kam pasur mundësi t’i shohë ndeshjet, ndoshta jo të gjitha por një pjesë të mirë të tyre”, deklaroi Berisha për Gazetën Olle.

“Te Feronikeli kam shumë bashkëlojtarë që më parë kemi luajtur së bashku”.

“Arsya pse zgjodha Feronikelin është që më ka pëlqyer projekti i tyre afatgjatë për të krijuar një skuadër që të arrijë sa më lartë në arenën ndërkombëtare si dhe të vazhdojmë sukseset brenda vendit”, shtoi Berisha.

Berisha komentoi rezultatet e dobëta të Feronikelit në vjeshtë.

“Pak është normale që skuadra mund të ketë edhe rënie të formës gjatë ndonjë faze që ju ndodh të gjithëve edhe në ligat e mëdha, por besoj që pushimi tani është më se i duhur për ta rikuperuar skuadrën fizikisht dhe metalisht që pjesa e mbetur të kampionatit të shkojë si më së miri”, u shpreh Berisha.

“Mendoj se skuadra ka kualitet dhe me një trajner si Agim Sopi që e do punën dhe shihet që është një punëtor i madh, besoj të arrihet suksesi në fund”, shtoi ai.

Kujtojmë që Berisha më parë ishte grumbulluar nga Kombëtarja e Shqipërisë, ndërsa ka edhe disa ndeshje me Kosovën.

28-vjeçari ishte ndër lojtarët kyç të Kosovës para pranimit në UEFA e FIFA. /Gazeta Olle/