I papuni Panucci, analizon kampionatin e ri në Serie A

Kristian Panuçi thotë se Interi ka një plan të qartë dhe e ka afruar Konten sepse kërkon që të fitojë trofe. Në një prononcim për “Il Giorno”, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare ka komentuar lëvizjet e fundit në merkaton e kampionatit italian dhe luftën për titull. Ai mendon se Juventusi është një shkallë mbi të tjerët, por thotë se ata që do ta rivalizojnë janë forcuar.

“Sigurisht që merkatoja e skuadrave italiane më ka pëlqyer shumë, po ashtu si futbolli që po rritet. Skuadrat kanë biseduar me lojtarë shumë cilësorë dhe të rëndësishëm në arenën europiane. Duhet t’u japim meritë skuadrave si Interi, Juventusi dhe Napoli për investimet që po bëjnë. Edhe trajnerët e afruar janë shumë të rëndësishëm”, tha Panuçi.

U ndal më gjatë tek Interi duke vlerësuar Antonio Konten. “Kur merr një trajner si Antonio Konte, do të thotë se synon të fitosh. Ai e ka treguar në Itali dhe në Angli se çfarë është i aftë të bëjë. Interi e ka zgjedhur si njeriun që mund të nisë një cikël fitues dhe e ardhmja do të tregojë nëse kanë bërë zgjedhjen e duhur. Unë jam i sigurt që po, sepse më të mirë sesa ai nuk kishte në qarkullim. Në tërësi, të gjitha skuadrat që ndjekin Juventusin më duket se janë forcuar dhe kjo do të thotë se do të shohim një kampionat më të luftuar. Megjithatë, mendoj se bardhezinjtë janë një shkallë mbi të gjerët”, theksoi italiani.

Ish-trajneri kuqezi foli edhe për një shkëmbim të mundshëm mes Edin Xhekos dhe Mauro Ikardit. “Janë dy lojtarë shumë të fortë dhe sulmues të jashtëzakonshëm. Duhet të theksoj se janë të ndryshëm nga njëri tjetri. Nuk e di çfarë do të ndodhë, pasi janë skuadrat ato që vendosin për fatet e lojtarëve të tyre. Është normale që një klub duhet të përfitojë diçka në rast se vendos të shesë një lojtar të rëndësishëm”, përfundoi Panuçi.