I ndërhyri presidenti në formacion, trajneri largohet pas pjesës së parë

Historia përsëritet sërish. Ashtu si tre sezone më parë kur Sajmir Malko largohej nga Besëlidhja e Lezhës që garon nw Kategorinw e Dytw nw Shqipwri, dhe deklaronte se arsyeja e dorëheqjes ishte ndërhyrja në formacion e presidentit Gjok Noka, e njëjta gjë ka ndodhur dje me trajnerin aktual Kreshnik Krepi.

Kreshnik Krepi

Një histori e çuditshme shqiptare, aq më tepër që ndodh vetëm gjatë një ndeshjeje miqësore. Presidentit lezhjan nuk i ka pëlqyer loja e skuadrës gjatë sfidës së djeshme në Lushnjë ndaj skuadrës vendëse dhe ka urdhëruar trajnerin Krepi të bëjë ndryshime duke i dhënë sugjerime. Trajneri nuk ka pranuar kurrsesi këtë situatë duke e kundërshtuar presidentin në distancë.

Pesë minuta përpara përfundimit të pjesës së parë kur rezultati ishte i barabartë 0:0, Krepi lë bankinën dhe largohet. Burime të sigurta pranë skuadrës bëjnë të ditur se përplasja mes tyre ka qenë më shumë për lojtarët e huaj që janë aktualisht në provë te Besëlidhja, dy afrikanë dhe një serb. Krepi ka këmbëngulur disa herë edhe në prononcimet e tij për shtyp se këta lojtarë nuk po e bindin. Kjo nuk i ka pëlqyer presidentit për të ardhur te përplasja e djeshme që ka sjellë edhe largimin e Krepit nga stoli i Besëlidhjes. Ndërkaq, skuadra është drejtuar në pjesën e dytë në miqësoren e djeshme nga zv/trajneri Gledis Lani.

Deklarata 

I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport” në lidhje me largimin, Krepi është shprehur:

“Fillimisht, pyesni presidentin në lidhje me këtë çështje. Unë jam 33 vjeç dhe gjithçka e kam arritur me shpatullat e mia dhe nuk lejoj askënd që të përzihet në idetë e mia. Ato i kam të shenjta dhe kështu do të jenë sa të marrë frymë. Kaq mund t’ju them për momentin”, ka deklaruar trajneri Krepi.

Për sa i përket ndeshjes, Besëlidhja ka arritur të fitojë 2:1.