Hysaj dhe Lenjani: Ndeshja shumë e rëndësishme

Gianni De Biasi kishte lajmëruar që sfida me Francën nuk duhet konsideruar si një miqësore, por një përballje e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Nuk ka se si të mendojnë ndryshe futbollistët të cilët përvec impenjimit në seancat stërvitore e tregojnë edhe në konferencat për shtyp. Elseid Hysaj dhe Ermir Lenjani përcjellin mesazhin e tyre për një sfidë që është po aq e rëndësishme sa ato të të gjithë edicionit.

Hysaj: Ndeshje e rëndësishme dhe do të hyjmë në fushë sikur të jetë një sfidë kualifikuese.

Lenjani: Luajmë për të dhënë maksimumin me kombëtaren dhe këtë do e shohim në fushë.

Mungesat në këtë sfidë miqësore janë të shumta, dhe shihen si një problem për kuqezinjtë. Mbrojtësi i Empolit, Elseid Hysaj qetëson të gjithë me sigurinë e treguar në fjalët e tij.

“Nuk përbëjnë problem mungesat. Kushdo që luan do të tentojë të bindë trajnerin për forcën e tij”.

Për Lenjanin kjo është një përballje e vecantë duke qenë se sfida e luajtur në Rene më 14 Nëntor të vitit të kaluar i dha mundësinë që të luante më pas për skuadrën e këtij qyteti. Pavarësisht oshilacioneve në këto 6 muaj, 26-vjecari thekson se nuk ka asgjë për të treguar.

“Motivim i madh në këtë ndeshje por unë nuk kam asgjë për të treguar sepse ata i dinë vlerat e mia”.

Numri 3 i Kombëtares Shqiptare tregon dhe për pritshmëritë që vijnë nga Franca për këtë duel si dhe tregon bisedën me shokun e tij të ekipit tek Renë, Paul – Georges Ntep, i cili është i grumbulluar nga trajneri Didier Deschamp.

“Kam folur me Ntep dhe ata janë të interesuar për këtë ndeshje. I kam thënë që aty është një atmosferë që do ju habisë”.

Sezoni i mirë i zhvilluar me Empolin ka bërë që Elseid Hysaj të përfundojë në listën e dëshirave për skuadrat më të mëdha të Italisë. Juventus, Inter, Milan, Lazio dhe së fundmi Napoli janë emrat e shfaqura në media të interesuara për shërbimet e shkodranit. Vetë 21-vjecari shpjegon situatën në merkato duke zbuluar ndoshta se ku mund të jetë e ardhmja e tij

“Jam i kënaqur të dëgjoj për emrat e mëdhenj që interesohen për mua, por ska asgjë konkrete. Napoli më ka kërkuar edhe vjet dhe tani që mori Sarrin si trajner besoj se do më kërkojë sërish. Unë do kisha kënaqësi të punoja sërish me të”.