Historia e jashtëzakonshme e ‘Messit kosovar’

Kanë mjaftuar dy gola në tri paraqitjet e para me Kosovën që Edon Zhegrova t’i pushtojë zemrat e kosovarëve. Shumëkush 19-vjeçarin po e krahason me Lionel Messin. Ka nga ata që e krahasojnë edhe me Neymarin. Mirëpo vetëm para pak vitesh regjimi i vizave për Kosovën e kishte vënë në rrezik të madh karrierën shumë premtuese të këtij xhevahiri. Duke e parë talentin e jashtëzakonshëm të tij, FC Prishtina tentonte ta çonte në Belgjikë. Por, pengesë trishtuese paraqiste procesi për t’u pajisur me vizë. Klubi Bardhekaltër kishte shkuar aq larg saqë mundohej që përmes Qeverisë në Bruksel ta pajisë me vizë “Messin kosovar” dhe babanë e tij. Kështu Zhegrova ka shpëtuar. Ai tani po zhvillohet perfekt në Belgjikë dhe po i shërben Kosovës për mrekulli, shkruan sot, gazeta “Zëri”. 

Edon Zhegrova u bë sensacion i futbollit kosovar këtë vit. Talenti prishtinas e mori famën mbi të gjitha pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën realizoi dy gola në tri ndeshjet e para për të.

Madje në vendin tonë atë kanë nisur ta krahasojnë me Lionel Messin dhe Neymarin për shkak të lëvizjeve dhe shkathtësive teknike që i posedon. Mirëpo për të arritur deri këtu ai e ka hequr të zinjtë e ullirit, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Image

Bile ai rrezikonte seriozisht të përfundonte si pjesa dërrmuese e futbollistëve kosovarë, po ashtu të talentuar, që nuk e patën mundësinë të dalin në Evropë dhe e mbyllën karrierën në futbollin e izoluar deri para pak viteve.

Karriera e Edonit mund të përshkruhet si një ngjarje e vërtetë nëpër filma. Pasi e nisi karrierën te Flamurtari, ai ia pa hairin transferimit tek ekipi i të rinjve të Prishtinës.

Klubi Bardhekaltër bëri çmos për ta transferuar jashtë vendit, duke e parë talentin e jashtëzakonshëm të tij.

Image

Presidenti Remzi Ejupi me bashkëpunëtorë i përdorën të gjitha mjetet dhe rrugët për t’ia mundësuar atij transferimin në klube evropiane në një proces të vështirë për ta pajisur me vizë, proces që ia rrezikonte një të ardhme tepër të ndritur një djali të ri që po shkëlqente në Prishtinë.

Nga Ambasada, deri në Qeverinë belge

Ishte viti 2014 kur FC Prishtina dhe Standard Liege kishin arritur marrëveshje që Edon Zhegrova, së bashku me Lorik Aliun, Liridon Latifin dhe Emir Sahitin, të provoheshin në këtë skuadër belge.

Mirëpo menjëherë ishin shfaqur problemet. Bardhekaltrit po hasnin në vështirësi për ta pajisur Zhegrovën me vizë, pasi u duhej të prisnin shumë për termin dhe koha nuk ishte në favor të tyre. Prandaj ata e kishin informuar klubin belg për këtë problem, për të cilin kishin kërkuar që të njoftohet edhe Qeveria në Bruksel, përkatësisht Ministria e Jashtme e Belgjikës për t’i përshpejtuar procedurat në Ambasadën Belge në Prishtinë.

“Zëri” i ka siguruar e-mail-at që ia ka dërguar FC Prishtina klubit belg, Standard Liege, në muajin prill e të cilin e kishte njoftuar për shqetësimin në fjalë.

“Edon Zhegrova, Emir Sahiti, Liridon Latifi e Lorik Aliu lejohen të marrin pjesë për prova në Standard de Liege. Ky autorizim mbetet në fuqi deri më 1 maj. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe nëse keni ndonjë pyetje mos hezitoni të na kontaktoni”, ishte e-mail-i që ia kishte drejtuar presidenti Remzi Ejupi klubit belg, për të vazhduar me e-mail-in tjetër.

“I nderuar zotëri Duchatelet. Do të doja ta shpreh falënderimin e sinqertë për takimin tonë të së premtes. Me të vërtetë e vlerësoj kohën tuaj dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen”, shkruante Ejupi në e-mail.

Në fund prishtinasit e njoftojnë presidentin e Standard Lieges Jean-Francois de Sart rreth vështirësive që i ishin shfaqur.

“E kemi kontaktuar Ambasadën Belge këtu në Prishtinë dy herë gjatë ditës së sotme, por duket se do të jetë e pamundur për zotëri Zhegrovën (Babain e Edonit) dhe të birin e tij (Edonin) që t’i marrin vizat me kohë. Vetëm për ta rezervuar terminin për viza nevojiten rreth dy javë. Zhegrovët e kanë një konsultim sot në orën 14:00, por nuk e di nëse Ambasada do të mundë të bëjë diçka derisa nuk është bërë ndonjë termin për viza”, ka shkruar klubi prishtinas. “Ata (Ambasada) na kanë këshilluar që mënyra e vetme për ta shtyrë procesin përpara është nëse Standard Liege e kontakton Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi ata janë të vetmit që mund të vendosin për viza. Shpresoj që këto informata do t’ju ndihmojnë. Ju mund ta kontaktoni edhe vetë Ambasadën”, vazhdon letra e FC Prishtinës në drejtim të Standard Lieget.

Image

(Ishte janari i këtij viti kur trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, kishte shkuar në Belgjikë për ta takuar Edon Zhegrovën dhe babain e tij, Lulzim Zhegrovën. Ky takim ishte realizuar në një kohë kur pritej vetëm zyrtarizmi i angazhimit të Zhegrovës në Kombëtaren Shqiptare nga Christian Panucci. Por, kthesa e madhe filloi me takimin Zhegrova – Prekazi.)

Më pas gjithçka ishte zgjidhur dhe Zhegrova i kishte bërë provat te Standardi, të cilin e kishte bindur me kualitetet e tij, duke qëndruar përkohësisht aty, prej nga më pas ishte transferuar tek ekipi Sint-Truidense.

Ndërkaq nga viti 2017 Edoni është pjesë e Genkut, me të cilin ka debutuar vitin e kaluar në ekipin e parë dhe ndërkohë e ka realizuar një gol dhe ka dhuruar asistime.

19-vjeçari është duke u pjekur dhe zhvilluar dita-ditës. Këtë e demonstroi edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, ku debutoi me gol në muajin mars të këtij viti.

Atë e kishte kritikuar trajneri Christian Panucci për shkak se e refuzoi ftesën e Kombëtares shqiptare, duke e zgjedhur Kosovën, me të cilën shpërtheu menjëherë dhe ia dha një alarm trajnerit italian duke shënuar madje gol pikërisht ndaj Kuqezinjve pak ditë më parë.

700 mijë euro

Edon Zhegrova është njëri prej futbollistëve më premtues të futbollit shqiptar. Vlera e tij vitin e kaluar ishte 150 mijë euro, ndërsa ajo tashmë ka shënuar rritje dhe vlera momentale e tij është 700 mijë euro. Kjo vlerë pritet të shënojë rritje të mëtutjeshme dhe të shpejtë. Ai ka kontratë me Genkun deri në vitin 2020