Heroi i Dritës tregon se si e pa veten në Ligën e Parë

Pësuan golin e disavantazhit në minutën 95. Më pas barazuan dhe shkuan në penalti. Këtu, i humbën dy penalti, gjë që Flamurtari e shihte veten më afër Superligës. Mirëpo, dy pritjet e Artan Latifit bënë që të ndodh kthesa e madhe dhe Drita më pas të sigurojë mbetjen në Superligë.

“Realisht lojtë e barazhit nuk janë të lehta, sidomos për ato që kanë synim të mbesin në Superligë. Flamurtari nuk pati çfarë të humb dhe luajti pa presion, ndërsa ne e kishim shumë të vështirë”, thotë Latifi për GazetaOlle.com.

“Fati deshi që në penalti, edhe pse ishim dy herë në disavantazh, ia dolëm të rikthehemi”, shtoi ai.

Portieri i Dritës tregon se si e pa veten në Ligën e Parë. “Të them të drejtën kurrë më keq nuk jam ndier. E shihja veten në Ligën e Parë. Pasi e humbëm penaltinë e parë kisha shpresë se një do ta pres, por pasi edhe të dytën e humbëm na u vështirësuan punët, dhe këtu mendova se humbëm dhe u mbështeta tek Zoti, pastaj edhe përvoja ime erdhi në shprehje, por e përjetova shumë vështirë”, deklaroi ai. (Gazeta Olle)