Hera e parë për Kosovën

Vetëm 25 ditë pas finales së Cardiffit, këtë mesjavë rikthehet Liga e Kampionëve me sezonin 2017/18, me pesë sfidat e turnit të parë preliminar.

Kanë kaluar tre vjet nga debutimi i Gjibraltarit në kupat evropiane, ndërsa tash është hera e parë për Kosovën, e cila përfaqësohet me dy klube.

Portali italian “Guerin Sportivo”, përcjellë zeri.info, ia ka kushtuar një shkrim të veçantë dy ekipeve kosovare, Trepçës ’89 dhe FC Prishtinës, që do ta përfaqësojnë vendin tonë në dy evenimentet më prestigjioze të futbollit evropian.

’89-shi, debutuesi i Championsit

Këtë sezon do të ketë skuadra debutuese në Ligën e Kampionëve. Historinë në Champions do ta shkruajë Trepça ’89, e cila do ta sfidojë sonte ekipin nga Ishujt Faro, Vikingur Gota.

Mitrovicasit do ta luajnë ndeshjen e parë si mysafirë dhe nëse e kalojnë këtë xhiro do të bënin sensacion.

Ata janë nisur drejt Ishujve Faro për rezultat të favorshëm për t’u kthyer pas një jave në shtëpi me një tjetër rezultat pozitiv, i cili do t’i dërgonte tutje. Ndeshja do të luhet sonte nga orën 20:00.

Trepcaaaa-696x414

Prishtina ia bën sefte në Europa League

Krahas Championsit, edhe në Europa League do ta kemi një skuadër debutuese nga Kosova.

Bëhet fjalë për FC Prishtinën, e cila do të luajë në rrethin e parë preliminar të Europa Leagues. Bardhekaltrit shkuan falë fitores së Besës nga Peja ndaj Llapit në finale të Kupës së Kosovës.

Pasi pejanët nuk janë licencuar automatikisht ju hap dera klubit më të madh në vend, i cili përballë do ta ketë Norrkopingun të enjten, raporton zeri.info.

Prishtinasit do ta marrin rrugën drejt Suedisë të mërkurën dhe të mbështetur nga tifozët e shumtë shqiptarë që jetojnë në Skandinavi, do ta synojnë mrekullinë ndaj klubit të madh suedez.

prish 4

Por, kryeqytetasit nuk janë të vetmit debutues në këtë kompeticion. Ekipet tjera që debutojnë këtë edicion në këtë garë janë edhe ekipi nga Gjibraltari, St. Joseph’s, skuadra nga Azerbajxhani, Zira dhe skuadra serbe, Mladost Lucani.

Një fakt interesant është se dy ekipe që do të garojnë në ligën e dytë në sezonin e ardhshëm në ligat respektive do të luajnë në Europa League.

Bëhet fjalë për Tiranën e Shqipërisë dhe Vaduzin e Zvicrës.