Hendbollisti maqedonas braktis ceremoninë shkaku i gjuhës shqipe!

Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur ditën e djeshme në Maqedoni gjatë manifestimit të organizuar nga ana e Agjencisë për Rini dhe Sport, që ndau çmimet për më të mirët e vitit.

Sipas, ‘InfOSport.mk’, hendbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë, Stole Stoilov ka braktisur ceremoninë.

Arsyeja ka qenë përdorimi i gjuhës shqipe, gjë që e nervozoi pa masë dhe e bëri të largohej duke përplasur derën.

E gjithë kjo kishte ndodhur në fillimin e kësaj ceremonie.

Pikërisht në momentin kur dy çmimet e para iu ishin ndarë dy sportistëve shqiptarë nga Çairi dhe Tetova.

Përfaqësuesi i shkollës së mesme ekonomike Bujar Ibraimi, profesor i sportit dhe kryetar i Lidhjes së Sporteve në Komunën e Tetovës, të pranishmëve u ishte drejtuar në gjuhën shqipe.

Kaq mjaftoi që Stoilov të inatosej dhe të largohej para kohe nga manifestimi në të cilin i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev.