Hashani aspak pishman për lënie të futbollit: Më mirë unë sesa ai!

Ish-futbollisti i njohur Erdin Hashani me anë të një postimi kujton momente nga periudha kur vendosi t’i jap fund karrierës si futbollist.

Hashani tash e 2 vjet nuk është pjesë e futbollit aktiv, duke u kapur me zejën e trajnerit, të cilën po e ushtron me shumë sukses, përcjellë Gazeta OLLE.

Ai në postimin e tij ka shkruar se nuk është pishman që u pensionua nga ky sport.

“Sot me më vet a jam pishman ju them që JO!!! Ka pasur futbollistë shumë më të mëdhenj sesa unë po nuk e kane lanë në këtë formë qysh unë e kam lanë futbollin, është mirë që ti me e lënë futbollin e jo futbolli me të lënë ty. Nuk është më rëndësi sesi fillon, por me rëndësi është sesi e përfundon”, ka shkruar Hashani i cili në karrierën e tij pati fatin të luajë në plotë 13 skuadra: FC Besëlidhja (Prishtinë), FC KEK-u (Kastriot), FC Prishtina, FC Besa (Kavajë), FC Skënderbeu (Korçë), FC Besëlidhja (Lezhë), FC Besiana (Podujevë), FC Trepça (Mitrovicë), FC. Vllaznimi (Gjakovë), FC Drita (Gjilan), FC Hajvalia (Prishtinë), FC Vllaznia (Pozharan) dhe FC Ferizaj (Ferizaj), aty ku edhe e përmbylli karrierën.