Hasani shumë i kënaqur me gjyqtarët: Çdo vit po bëjmë progres!

Fillimi i stinorit pranveror të garave tashmë po afron. Në fundjavë zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, derisa më 16 shkurt nisin edhe garat në IPKO Superligë. Federata e Futbollit e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet paraprake për një nismë të mbarë dhe rregullshmëri të garave. Së fundmi edhe Komisioni i Gjyqtarëve e ka organizuar seminarin e përvitshëm në Ulqin, ku njëherësh janë mbajtur edhe testet fizike dhe ato teorike.

Kryetari i këtij komisioni, Përparim Hasani është i kënaqur me atë çfarë kanë treguar gjyqtarët në këtë seminar, e sidomos me pjesën fizike dhe teorike.

“Ne si Komision i Gjyqtarëve, në bashkëpunim të ngushtë me presidentin Agim Ademi edhe sivjet kemi organizuar seminarin në Ulqin, ku kanë qenë të pranishëm 73 gjyqtarë të Superligës dhe Ligës së Parë. Gjatë pesë ditëve të këtij grumbullimi është punuar intensivisht në shumë aspekte. Në bazë të marrëveshjes me FIFA-n ligjërues në këtë seminar ka qenë Sokol Jareci, i cili së bashku me të gjithë pjesëmarrësit në seminar ka diskutuar edhe për raste të ndryshme gjatë rrjedhës së një ndeshje futbolli. Po ashtu, këtë seminar nga afër e ka vëzhguar edhe presidenti Agim Ademi, i cili edhe në kohën sa ka qenë nënkryetar por edhe tani po qëndron gjithmonë afër nesh dhe po e jep mbështetjen e tij të parezervë për gjyqtarët. Gjatë fjalimit të tij para gjyqtarëve presidenti Ademi theksoi se ndarja e drejtësisë është një segment tejet i rëndësishëm i mbarëvajtjes së garave dhe për këtë arsye kërkoi që gjyqtarët të jenë sa më vigjilent dhe ta kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe njëherësh u ofroi mbështetje maksimale, derisa gjyqtarët nga ana e tyre në fjalimin e presidentit Ademi e dhanë fjalën se do të jenë në nivel të detyrës dhe u zotuan për objektivitet dhe për drejtësi maksimale”, ka theksuar kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve.

Ai vlerëson se ky seminar ka rezultuar tejet i suksesshëm dhe nga viti në vit po ka progres, derisa edhe numri i gjyqtarëve të rinj të cilëve po u jepet hapësirë po rritet dukshëm. Hasani vlerësoi se gjyqtarët kanë treguar rezultate shumë të mira, si në normat fizike ashtu edhe në ato teorike.

“Nga 73 gjyqtarë pjesëmarrës në seminar 37 prej tyre kanë qenë kryesor dhe 36 asistentë. Në normat fizike 32 gjyqtarë kryesor kanë qenë të suksesshëm, derisa 3 gjyqtarë kanë ngelur, derisa te asistentët nga 36 veta vetëm një gjyqtar nuk ka arritur t’i kalojë normat fizike. Ndërkohë, në testin teorik kanë qenë gjithsej 5800 pyetje e ku madje 4154 përgjigje kanë qenë të sakta, që në përqindje i bie 71.62 përqind, derisa përgjigje të pasakta kanë qenë 1646 që në përqindje i bie 28,37 përqind. Por këto rezultate llogariten shumë të mira, duke pasur parasysh se në momentin që përqindja e përgjithshme e përgjigjeve e kalon 62 përqindshin atëherë testi llogaritet pozitiv, derisa ne përqindjen e kemi shumë më të lartë andaj edhe e kemi konsideruar si shumë të mirë. Ne si Komision i kemi dhënë vazhdimisht mundësi gjyqtarëve të rinj të talentuar për ta ndarë drejtësinë dhe sigurisht se do të vazhdojmë t’i mbështesim pasi i shohim si shtyllë të rëndësishme për të ardhmen e futbollit tonë”, ka shtuar Hasani.

Ai pret që në edicionin e ri të garave gjyqtarët të jenë në nivel të lartë të detyrës, derisa këmbëngul se nuk do të ketë tolerime.

“Edhe ne si Komision i Gjyqtarëve, sikur të gjitha organet e tjera të FFK-së jemi mobilizuar maksimalisht që në stinorin pranveror ta ngrisim nivelin e ligës dhe që gjithçka të shkojë si duhet. Fakti që UEFA do ta vlerësojë cilësinë reale të kampionatit tonë na shtynë që gjithëve që të punojmë në mënyrë sa më profesionale dhe me korrektësi maksimale, gjë të cilën ua kemi bërë të ditur edhe gjyqtarëve. E duke ditur rëndësinë e ndarjes së drejtësisë ne kemi kërkuar që gjyqtarët të jenë real dhe syçelë, pasi në këtë mënyrë e mbrojnë veten, por edhe neve si Komision dhe investimet e vetë klubeve. Pra, qëllimi është që ta ruajmë integritetin e garave dhe që të nxjerrim cilësinë reale të kampionatit”, ka nënvizuar Hasani.