Haris Fakiç tregon se ku do të luajë Enis Gavazaj në edicionin e ri, e ka një lajm edhe për Bajram Jashanicën

Drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, ka folur para finales së Kupës së Shqipërisë. Fakiç ka komentuar për “Supersport” finalen me bardhezinjtë, por dhe të ardhmen e Skënderbeut, dhe çështjen e Jashanicës, shkruan Sport Ekspres.

Po ashtu zbulohet diçka më shumë për të ardhmen e Gavazajt, ku tashmë rrethi për destinacionin e radhës është ngushtuar shumë.

Pse duhet të fitojë Skënderbeu?

Duhet ta fitojmë pasi kemi ardhur deri tani dhe nuk kemi ardhur kot. E duam këtë trofe. Skënderbeu nëse e fiton sot Kupën, i fiton të gjitha. Mendoj se arsyeja pse duhet ta fitojmë është që ta mbyllim një vit të mrekullueshëm dhe rrallë ndonjë skuadër mund ta përsërisë. Të shkojë në grupe të Europa League-s, të fitojë titullin dhe Kupën, e të kemi një vit të mrekullueshëm.

Ka diçka më shumë kjo skuadër, pasi ka kaluar shumë vështirësi?

Skënderbeu edhe vitet e shkuara ka qenë skuadër që ka treguar cilësi, lojë më të bukur, rezultate. Statistikat flasin në fund të vitit. Pavarësisht problemeve ja dolëm me stil. E fituam edhe titullin edhe u kualifikuam në grupe, diçka që nuk është e lehtë, pasi kaluam katër kundërshtarë. Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë dhe jam i bindur se do të vazhdojë që të bëjë ligjin në kampionatin shqiptar.

Skuadra e re e Gavazajt?

Ndonjëherë jam i detyruar të dribloj, por këtë herë do të jem më i saktë. Do të jap një informacion më tepër. Gavazja është lojtari më i përfolur dhe është e logjikshme me statistikat që ka treguar në Korçë. Të gjitha ndeshjet që ka luajtur ka bërë mirë dhe e meriton transferimin. Jemi afër dhe po diskutohet për një skuadër nga Austria, që është një emër i madh, por jemi në bisedime dhe me një skuadër nga Kroacia. Nuk mund të them më shumë.

Keni spikatur ndonjë lojtarë në Superiore që mund t’u bëjë punë?

Kampionati shqiptar është në rritje dhe çdo vit është më i egër dhe me më shumë konkurrencë. Kemi Luftëtarin. Laçin, që kanë prodhuar futboll të bukur dhe nuk kanë qenë më parë, por kanë prodhuar dhe futbollistë. Për mendimin tim ka disa futbollistë që e kanë arritur nivelin të jenë pjesë e Skënderbeut dhe titullarë te ne. i kemi arritur disa marrëveshje, siç është Bregu, por dhe Abazajn që e shitëm, por ka dhe të tjerë. Kemi kualitet dhe kjo duhet të na gëzojë ne dhe të gjithë ata që punojnë një Shqipëri.

Jashanica…

Jemi ndarë në dy pjesë, rezultate e mrekullueshme dhe pjesa e probleme  që përballemi. Çështja e Jashanicës është e qartë. Ai do të jetë sa km parë në fushë. I duhet dhe pak për t’u rikuperuar plotësisht. Numri dy është diçka që rregullohet dhe jemi në proces duke e zbatuar në detaje çfarë ka ndodhur me Jashanicën dhe e di se përfundimi do të jetë pozitiv dhe do e shohim sa më parë në fushë.