Haradinaj përkrah maratonistët për “Shtegun e Shpresës”

Në shënim të 20-vjetorit të nisjes së luftës për çlirimin e Kosovës dhe me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj priti të mërkurën në takim anëtarët e Asociacionit Kosovar për Vrapim Malor (Kosova Trail Running Association-KTRA).

Përmes një komunikate për medie bëhet me dije se në këtë takim kryeministri u njoftua për nismën e KTRA-së për organizimin e “Shtegut të Shpresës”, i cili do fillojë në Prekaz, për të vazhduar në Gllogjan dhe me përfundim në Koshare. “Shtegu prej 100 kilometrash do të jetë i ndarë në pesë segmente dhe do të zhvillohet nga datat 3 dhe 4 mars 2018”, thuhet në komunikatë.

Haradinaj ofroi përkrahjen e tij për këtë organizim, që do të mbahet në shenjë nderimi për luftën e lavdishme të UÇK-së dhe 10-vjetorin e pavarësisë. Po ashtu, kryeministri tha se është vrapues i rregullt nëpër malet dhe bjeshkët e mrekullueshme që ka Kosova. Pas pritjes që ua bëri anëtarëve të Asociacionit Kosovar për Vrapim Malor, për ta mbështetur kauzën e tyre, Haradinaj u bashkua në vrapimin parapërgatitor të maratonës së vrapimit, të organizuar në parkun e Gërmisë.