Haliti: Jam në negociata me Teutën

Teuta e Durrësit ka gjasa që ta transferojë edhe një futbollist nga Kosova. Qendërmbrojtësi i Dritës së Gjilanit, Taulant Haliti, njofton për www.sportal.al se është në negociata me klubin e drejtuar nga Gugash Magani. “Për momentin jam lojtar i lirë, nuk kam kontratë me Dritën. Kam tre oferta nga klubet të Superligës së Kosovës dhe një në Shqipëri, nga Teuta e Durrësit. Brenda pak ditësh do dihet gjithçka, pra do të vendoset e ardhmja ime”, ka njoftuar Taulant Haliti.

“Synimi im mbetet Kategoria Superiore. Mundësia është shumë reale që të kalojë atje. Ky klub e ka përcjellë ndeshjen e barazhit në Kosovë, ku kam luajtur shumë mirë dhe kontaktet vazhdojnë”, shtoi Haliti.

Ai është 21-vjeçar derisa më parë ka luajtur për Ferizajn, Prishtinën dhe Fushë Kosovën. Haliti në këtë kampionat ka realizuar tre gola.

Kujtojmë se Teuta në këtë verë e ka transferuar edhe mbrojtësin Viktor Kuka (Prishtina) dhe sulmuesin Egzon Gashi (Feronikeli), të cilët gjithashtu vijnë nga Kosova. Për këta të fundit ka ndërmjetësuar menaxheri nga Prishtina, Hashim Vitia.