Hajvalia nis misonin anti-Sion

Nuk ka zgjatur më shumë se shtatë ditë pushimi për futbollistët e Hajvalisë. Skuadra nga paralagjia e Prishtinës, ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore me Sionin, si dhe edicionin e ardhshëm.

Të mërkurën (dje) të udhëhequr nga trajnerët Emin Bajrami dhe Agim Maliqi, (mungoi kryetrajneri Mentor Mitfari, për arsye personale), futbollistët hajvalias, iu përvishen punës.

Kujtojmë se ndeshja me Sionin do të zhvillohet në Zvicër më 27 Qershor. Rreth nisjes së përgatitjeve, flet futbollisti me peshë te ky ekip, Erdin Hashani. “Tashmë kemi filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm, ku një nga fazat përgatitore do ta zhvillojmë në Zvicër, me ç’rast do të qëndrojmë 15 ditë. Dita e parë shkoi shumë mirë”, ka thënë biondi nga Prishtina, Erdin Hashani.

Tutje, lojtari i fuqishëm u ndal te takimi me Sionin. “Falë kryesisë së klubit do të shkojmë në Zvicër. Është privilegj për Hajvalinë që të luaj me një skuadër të madhe si Sioni. Normalisht se rezultati nuk do të jetë në plan të parë. E rëndësishme është që të paraqitemi sa më mirë dhe në njëfarë mënyre, ta nderojmë edhe futbollin e Kosovës”, përfundoi’ bulduzheri’ Erdin Hashani, i cili ka një karrierë shumë të pasur si futbollist.