Hajvalia arrin ta blindojë Prekazin edhe për një vit

Skuadra e Hajvalisë, ka bërë edhe një hap të madh drejt edicionit të ardhshëm 2015/2016. Ata kanë arritur të nënshkruajnë kontratë me mbrojtësin Arbër Prekazi, që veshi fanellën e kësaj skuadre në gjashtë muajt e fundit.

Lajmi konfirmohet nga lojtari. Ai nënshkroi sot për një vit.

Prekazi ishte afër kalimit te Partizani i Tiranës, derisa zbulon edhe bisedimet me Prishtinën.

“Me Partizanin nuk kemi mundur të merremi vesh për kushtet. Gjatë kësaj kohe kam dalë dhe kam biseduar edhe me Prishtinën, derisa interesim ka pasur edhe nga Trepça ‘89”, sqaron Prekazi për GazetaOlle.com, për të treguar arsyet e vazhdimit me Hajvalinë.

“Hajvalia mi ka ofruar kushtet më të mirë, krahas kësaj ata kanë treguar korrektësi gjatë gjithë kohës sa kam qenë pjesë e tyre dhe kjo më ka shtyrë të vazhdoj të jem pjesë e tyre edhe për një sezon”, shtoi ai.

Prekazi vitin e kaluar fitoi titullin e kampionit me Llamkos Kosovën, kurse një titull e ka edhe me Trepçën në vitin 2010. Ai vlerësohet ndër mbrojtësit më të mirë në Kosovë. (Gazeta Olle)