Griezmann po largohet nga Atletico, Barcelona shumë afër transferimit të tij

Antoine Griezmann konfirmoi mbrëmjen e së martës se do të largohet nga Atletico Madridi në përfundim të këtij sezoni. Klubi i tij i ri do të jetë Barcelona, sipas mediave botërore.

Edhe pse vitin e kaluar nënshkroi kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore 25 milionë euro, superylli francez tani ka njoftuar edhe zyrtarisht se ndeshja e së shtunës kundër Levantes do të jetë e fundit për të në fanellën e Atleticos.

Vendimi i fituesit të Kupës së Botës vjen në një kohë kur raportohet se Barcelona është duke përgatitur ofertë të re për të. Griezmann e kishte refuzuar Barçën vitin e kaluar, para se të shkonte në Rusi për ta arritur lavdinë me Francën.

Raportohet se Barça po përgatitet t’ia paguajë Griezmannit klauzolën e lirimit, e cila, sipas Goal.com, do të jetë 130 milionë euro. Kjo sipas Goal do të ndodhë më 1 qershor, dhe pastaj ai do t’i bashkohet kampionit spanjoll.