Grezda: Pres ftesë nga Shqipëria, te Rangers nuk shkuan gjërat shumë mirë

Eros Grezda vendosi që në merkaton e janarit të largohet nga Reinxhërs, ku nuk kaloi një aventurë shumë të mirë, për tu rikthyer përsëri te Osijek në Kroaci. Në një prononcim të dhënë së fundmi, sulmuesi shqiptar është shprehur se periudhën e karantinës e ka kaluar shumë mirë dhe është në formë të shkëlqyer. Gjithashtu ai ka thënë se në rast se do merrte ftesë nga trajneri Reja për te Kombëtarja, do e pranonte menjëherë.

“Kam kaluar shumë kirë në karantinë dhe nuk jam mërzitur fare. Kam qenë i angazhuar me stërvitje dhe jam në formë shumë të mirë. Para se të vinte më e keqja nga Koronavirusi, unë i kisha marrë masat për tu stërvitur. Më pëlqen shumë Kroacia dhe përveç motit ka shumë gjëra të tjera të mira, ndihem shumë mirë këtu.

Ne kemi filluar të hënën stërvitjen normale dhe ndeshja e parë do luhet më 31 maj me ndeshjet e Kupës dhe më 3 qershor do nisë kampionati.

Nga klubi kemi disa rregulla strikte. Duhet të vijmë në stërvitje vetëm 10 minuta para dhe në dhomat e zhveshjen nuk mund të shkojmë për të bërë dush. Nuk na është ndaluar takimi me shokët.

Nëse lojtarët kanë bërë testet dhe kanë rezultuar negativë, nuk ka pse të kemi frikë gjatë ndeshjes. Pishman për kalimin te Rangers? Nuk jam bërë pishman për asgjë. Por Reinxhërs është një klub shumë i madh, por kur më erdhi oferta nga ky klub isha i dëmtuar dhe nuk mund t’i thoja “jo”. Po shikoja disa ndeshje kur isha te Rangers. Atmosfera që krijohej atje është ndryshe nga çdo vend tjetër. Atje jetohet futbolli shumë. Për ne gjëja më e mirë është goli dhe na mungon shumë.

Kombëtarja? Me Rejën nuk kam pasur asnjë kontakt pas atij incidenti. Gjithmonë jap maksimumin dhe më pas të shpresoj te grumbullimi. Rikthimi këtu më ka bërë shumë mirë, jam në një formë shumë të mirë. Nëse Reja më bën ftesë, atëherë do ta pranoja menjëherë.

Te Rangers nuk shkuan gjërat shumë mirë dhe kur ndërpreva kontratën me ta, kisha shumë mundësi për të luajtur në klube të mëdha, por dëshira ishte të kthehesha te Osijek, ku ndihem si në shtëpi.

Karantinën e kam kaluar me të dashurën dhe nuk e kam kuptuar si kanë kaluar ditët kaq shpejt. Nuk e kam menduar asnjëherë çfarë do të bëj pas karrierës futbollistike.”, u shpreh Grezda për “Supersport”.