Grezda e pëson edhe nga skuadra e tij, dënohet në pagë!

Katër ndeshje mos-lojë ka qenë dënimi i Federatës kroate për futboillistin gjakovar, Eros Grezda, pasi ky i fundit sulmoi një futbollist kundërshtar.

Kurse, Grezda nuk ka shpëtuar pa dënim as nga skuadra e tij e Osijekut, shkruan Gazeta OLLE.

“Në përputhje me rregulloren disiplinore dhe pas incidentit në Rijekë me të përfunduar ndeshja gjysmëfinale e Kupës, Osijeku ka dënuar me para lojtarin Eros Grezda. Ndonëse për veprimin e tij sulmuesi ynë ka thënë se ishte i provokuar nga lojtari kundërshtar dhe është ofenduar në baza nacionale, kryesia e NK Osijek ka marrë qëndrim që reaksioni i Grezdës ishte i papranueshëm dhe i palejuar për një sportist. Për këtë i është ndarë dënimi maksimal, përkatësisht gjoba më e lartë e lejuar e klubit për situata të tilla dhe të ngjashme. Konkretisht bëhet fjalë për ndalese të 20 për qind të të hyrave të tij për një vit”, thuhet në njoftimin e Osijekut.

Te Rijeka kanë lënë të kuptohet se nuk janë të kënaqur me dënimin e federatës ndaj Grezdës.

“Dënimi është i tillë që nuk e meriton asnjë koment. I urojmë të përfshirët për atë vendim, pasi është shembull shumë i mirë për të gjithë në shoqëri dhe sport, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që merren me futboll dhe për të cilët lojtarët e kampionatit janë shembull”, ka thënë Ivan Mance, zëvendës i drejtorit sportiv të Rijekës.