Granit Xhaka për Olle: Transferimi im tek Interi? Kjo është e vërteta

Mesfushori prishtinas, Granit Xhaka, sot do të jetë pjesë e ndeshjes revyale që ka organizuar Komuna e Prishtinës.

Kjo sfidë do të luhet në stadiumin kombëtar ‘Fadil Vokrri’ dhe ka mbledhur yje të futbollit, sporteve tjera, estradës e politikës, shkruan GazetaOlle.com.

E, para takimit, Granit Xhaka, përveç informatave që dha për ndeshjen e sotme, ka folur edhe për zërat e kalimit të tij në Inter nga skuadra aktuale, Arsenal.

Ish-anëtari i klubit zviceran, Basel, në pyetjen e gazetarit të Gazeta Olle, se a do të transferohet në Inter këtë verë, u përgjigj:

“Kanë shkruar gazetat, mirëpo asgjë nuk është e vërtetë. Ato janë vetëm spekulime dhe s’kam ndonjë kontakt me klubin e Interit”.

Ndryshe, mediat britanike dhe ato italiane e kanë lidhur kosovarin me një kalim në Itali te zikaltrit. Sipas tyre, Xhaka nuk është në planet e trajneri Unai Emery për stinorin e ri dhe një largim i tij nga Londra është shumë i mundshëm.

Graniti është 26-vjeçar, ndërsa te Arsenali kaloi nga gjermanët e Borussia Monchengladbach. /Gazeta Olle/