Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina, përfundon ndeshja ku kishte shumë rivalitet

Ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës është karakterizuar me rivalitet të jashtëzakonshëm dhe me përfundim tejet dramatik.

Në fund, fitores iu gëzuan kryeqytetasit me rezultat 86:84. Sigal Prishtina edhe ashtu e kishte siguruar pozitën e parë për pjesën e rregullt të kampionatit, ndërsa për skuadrën nga Theranda kjo humbje mund të ketë pasoja, pasi e ka zhvendosur në pozitën e katërt dhe nëse në play-off starton nga kjo pozitë, atëherë në gjysmëfinale do të përballet pikërisht me rivalin e sotëm.

Megjithatë, bazuar në orarin e dy javëve të ardhshme (të fundit) Ylli pret të shënojë dy fitore (kundër Pejës e Boreas), ndërsa Rahoveci, që aktualisht renditet në pozitën e tretë, në javën e fundit luan në udhëtim te Sigal Prishtina. Alban Veseli me 24 pikë ishte më efikasi te prishtinasit. Vëllezërit Granit e Fisnik Rugova kontribuan me 15, përkatësisht 14, ndërsa Valon Bunjaku i shtoi 11 sosh. Në radhët e vendësve, Alexis Wangmene i shënoi 24 pikë, duke qenë edhe më efikasi i ndeshjes, Michael Harmon i shënoi 20, ndërsa Marvin Smith 19 pikë. Një minutë e 13 sekonda para fundit, ndeshja është ndërprerë për 10 minuta, pas hedhjes së gjësendeve të forta në parket, ndërsa ka vazhduar pas vlerësimit të gjyqtarëve se janë krijuar kushtet për lojë.