Golden Eagle Ylli – Rahoveci, tifozët vendas ofendojnë rëndë mysafirët

KB Rahoveci ka reaguar ashpër me anë të një deklarimi publik në faqen zyrtare pas një baneri transparent të shfaqur në ndeshjen derbi të regjionit ndaj KB Yllit në Suharekë.

Derbi i cili përfundoi në të mirë të therandasve me rezultat 99-86, pati episode të pahijshme nga tifozët.

Në fillim të takimit gjatë intonimit kombëtar dhe gjatë ndeshjes u shpalos një baner me mbishkrimin “Made in Bugaria” në drejtim të mysafirëve nga Rahoveci, teksa gjatë gjithë ndeshjes u dëgjuan kore të organizuara “Ju jeni shkije”. E gjithë kjo ndodhi në sy të komesarit të garave, Faton Kurshumlia, i cili nuk ndërmori asnjë veprim, shkruan Telegrafi.

rahoveci

Ndaj këtyre sjelljeve ka reaguar KB Rahoveci, që citon marrëdhënien e shkëlqyer mes dy kryesive, por jo edhe të transmetuar te tifozët, të cilët kanë shfaqur sjellje të pahijshme dhe raciste.

KB Rahoveci ka kërkuar edhe masa nga federata për këtë baner racist.

Mbetet të shihet nëse FBK do të ndërmarrë ndonjë vendim disiplinor, por në raste të tilla sipas rregullave të FIBA-s ekipi vendas mund të dënohet me dënimin maksimal, humbje 20-0 në tavolinë.

“KB RAHOVECI DENON FUQISHEM SJELLJET E TIFOZEVE NGA SUHAREKA

Bordi i KB Rahoveci dënon fuqishëm sjelljet e djeshme të tifozëve të Suharekës në ndeshjen ndaj Yllit. Shfaqja e transparenteve ofendues është tregues i madh i nivelit të kulturës së tifozerisë nga Suhareka. KB Rahoveci ka marrdhënie të shkëlqyera me kryesin e KB Ylli dhe e falenderojmë për mikëpritjen e djeshme, mirëpo kërkojmë distancim nga aktet e djeshme dhe marrjen e masave ndaj tifozëve të tyre që te mos përseriten më sjellje të tilla qe nuk i ngjajnë aspak sjlljeve sportive. Njëkohsisht KB Rahoveci kërkon nga drejtuesit e FBK qe ishin dje prezent në ndeshjen të analizojnë këto sjellje dhe të marrin masa konform rregullave. Tifozët nga Rahoveci “Vreshtarët”, dje treguan shembull të madhë të një tifozerie dhe ishin gjatë gjithë kohës krah skuadrës pavarsisht rezultatit. Bordi KB Rahoveci siguron të gjithë që klubi dhe tifozët nga Rahoveci do të jenë cdo herë profesional ashtu sic i ka hije klubit dhe një tifozerie.

#ForcaRahoveci #ForcaVreshtaret

BORDI I KB RAHOVECI

21.01.2018″.