“Godet” Kukësi, arrin marrëveshje me ish-sulmuesin e Valencias

Kukësi do tentojë me çdo kusht kalimin e turit të parë eliminator në Champions Ligë dhe objektivi përfundimtar është faza e grupeve në Ligën e Europës. Por për të shkuar kaq larg, duhen bërë përforcime të mëdha. Dhe, në këtë drejtim, verilindorët nuk kanë mbetur pas, ndërsa kanë arritur marrëveshje me një futbollist të nivelit të lartë.

Bëhet fjalë për Vinicius Araujo, i cili ka qenë pjesë e Valencias që në moshë të re, madje në sezonin 2013-2014 ka qenë pjesë e ekipit të parë të gjigantit spanjoll, duke luajtur 6 ndeshje. Pas atij sezoni spanjollët e dhanë borxh në Belgjikë te Standardi i Liezhit, e më pas te Cruzeiro, e së fundi e lanë të lirë dhe aktualisht është pjesë Recreativo Huesca, në ligën e dytë të Spanjës.

arajo

Sulmuesi i krahut të djathtë edicionin e fundit ka zhvilluar 19 takime dhe ka shënuar 3 gola. Braziliani ka një moshë të re, ka lindur më 22 shkurt 1993 dhe njihet për shpejtësinë dhe teknikën. Prej ditësh, drejtuesit e Kukësit po negociojnë me menaxherin e lojtarit, ku palët kanë folur dhe për detajet, me të cilat kanë rënë dakord.

Gazeta mëson se shumë shpejt do të vijë dhe zyrtarizimi i këtij transferimi të bujshëm i ish-lojtarit të Valencias. Fakti që Kukësi luan në kompeticionin më prestigjioz europian, ka joshur shumë futbollistë të huaj, pasi e shohin si “trampolinë” për të kaluar në ekipe të mëdha europiane.

Kukësi po vijon bisedat me kroatin Tomislav Kish dhe Danilo Lopez. Duket se palët kanë ngërç tek aspekti financiar, ku futbollistët kërkojnë më shumë parà se ato që u ka ofruar Kukësi. Ndërsa objektivi kryesor i verilindorëve për mesfushën është vlonjati Bruno Telushi. Drejtuesit kanë folur me kapitenin e Flamurtarit, të cilit i kanë dhënë dhe ofertën e tyre. Por është lojtari ai që ka lënë çdo gjë pezull, pasi po mendohet. Gjithsesi, çdo gjë do të zgjidhet pas një takimi midis lojtarit të njohur dhe presidentit Safet Gjici javën tjetër.

arajooo

Trajneri më i favorizuar për të marrë stolin e verilindorëve është trajneri gjerman Peter Hyballa, i cili ka trajnuar ekipe të nivelit të lartë në Europë. Kukësi i ka dërguar ofertën, por nga ana tjetër Gjici pret që të dëgjojë njëherë edhe projektin, pastaj të vendosë. Me trajnerin e huaj, do kalohet në “sitë” çdo lojtar, të paktën këto ka premtuar menaxheri i kompanisë që ka teknikun gjerman.