Gladiatori i Chievos

Përparim Hetemaj është bërë “Gladiatori” i ri i Chievos. Mesfushori kosovar po shkëlqen në futbollin italian dhe po e dominon mesfushën. Për këtë, mediet italiane i kanë thurur lëvdata futbollistit drenicas.

I lindur në vitin 1986, Hetemaj po i kalon pesë sezone e gjysmë në Itali, katër me Chievon, ku ka arritur maturi, duke ia dalë të përmirësohet me kohë.

Hetemaj vështirë se e lë një top të kalojë pa luftuar. Madje, edhe statistikat flasin qartë: është lojtari i dytë në Serie A që ka marrë pjesë në më së shumti duele në fushën e lojës (233), ndërsa në të njëjtën kohë është lojtari më i fauluar.

Një garanci e vërtetë, për një skuadër që synon të shpëtojë. Hetemaj, i heshtur dhe mjaft ekonomik, ka ditur të përmirësohet mjaft në aspektin teknik dhe di të luajë në mes dhe në krahë. Para se të transferohej tek Chievo, kishte luajtur në Brescia.