Gjysma e skuadrës së Hajvalisë janë gjyqtare

Hajvalia është dukshëm skuadra më e mirë në elitën e futbollit të femrave në Kosovë. Ekipi lider përbëhet prej futbollisteve tejet cilësore, të cilat paguhen nga klubi i Hajvalisë.

Megjithatë, për gjashtë prej lojtareve të kësaj skuadre, paga nga Hajvalia nuk është e vetmja që e përfitojnë nga futbolli. Kjo për faktin se ato janë edhe gjyqtare të futbollit, shkruan Gazeta Sheshi. Natyrisht, më e njohura nga to është Lumturie Muhadri, e cila prej vitesh ndan drejtësinë në Superligë.

Ndërsa, Blerta Kaçiu, Malsore Halili, Advie Veliu, Blerta Guri dhe Edona Kryeziu janë të reja në këtë profesion dhe drejtësinë e ndajnë vetëm te grupmoshat e reja në kuadër të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës. Kësisoj, këto gjashtë gjyqtare e përbëjnë gjysmën e skuadrës së Hajvalisë.