Gjyqtari kosovar: I ndëshkova me të kuq nipat, s’fola me vëllaun për një vit!

Profesioni si gjyqtar kishte pasur shumë rëndësi për Përparim Hasanin. Ai madje e kishte rrezikuar marrëdhënien e tij me familjarë për shkak të profesionit të tij.

Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, ishte njëri ndër gjyqtarët më të njohur në futbollin kosovar në të kaluarën, raporton Gazeta Express.

Famën e tij si gjyqtar ai e fitoi përmes kryerjes së detyrës së tij në fushën e lojës, edhe kur në pyetje ishin familjarët e tij. Ai i ka rrëfyer disa nga këto kujtime në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Është e vërtetë që e kam ndëshkuar djalin e vëllait, është e vërtetë që e kam ndëshkuar djalin e hallës në ndeshjen që quhet derbi më i madh në Kosovë, Drita – Gjilani”, ka thënë Hasani.

“Me vëllain s’kemi folur një vit shkaku i futbollit. Ai është drejtor sportiv në klubin Flamurtari. Në atë kohë ka qenë në dy barazhe dhe dy barazhet i ka humbur dhe automatikisht ka rënë në Ligën e Parë, kështu që rreth 1 vit s’kemi folur me vëllain”.

Hasani ka shtuar se në futbollin kosovar ka ende gjyqtarë të tillë, të cilën nuk bëjnë gabime të qëllimshme gjatë ndeshjeve, pavarësisht se çfarë lidhje mund të ketë me lojtarët apo dikë tjetër.