Gjyqi në CAS, ja pikat kyçe ku po luftojnë avokatët e Skënderbeut

Mësohet se trajnerët që ishin zgjedhur për ekspertizën e ndeshjeve dhe golave për të cilët dyshohen korçarët që kanë trukuar janë tërhequr.

Por jo vetëm kaq, pasi edhe shefi i Sektorit të Integritetit dhe Çështjeve Disiplinore të UEFA-s, Emilio Garsia, nuk është më në UEFA, por ka kaluar te FIFA. Duhet të saktësojmë se në këtë proces gjyqësor nuk diskutohet më nëse Skënderbeu ka trukuar apo jo ndeshje, por diskutohet a janë respektuar të gjitha procedurat e një procesi gjyqësor.

Mësohet se avokatët e Skënderbeut do të mbështeten mbi dy pika: së pari, meqë Skënderbeu është shpallur fajtor, kush e ka kryer krimin? E dyta: Kush i ka përfituar të ardhurat nga bastet? Deri tani kjo nuk është saktësuar nga trupi gjykues i UEFA-s.

Do të jetë shumë e vështirë, por nëse Skënderbeu ia del të rrëzojë UEFA-n, do të kërkojë dëmshpërblim të majmë, sepse i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në Champions dhe e dyta sepse është përdorur si shembull në shumë seminare kundër trukimeve, ndërkohë që ka qenë në proces gjyqësor me UEFA-n.

Shanset janë të pakta, por shpresat mbeten. Kanë nisur të qarkullojnë zërat se UEFA po kërkon negociata, pasi mund ta humbë gjyqin dhe mësohet se është arritur një marrëveshje me 25 deri në 30 milionë euro dëmshpërblim për Skënderbeun. Më shumë se gjysmat e tyre do t’i përfitonte studioja ligjore “De Pfyfer”. Por të gjitha këto janë në kuadrin e spekulimeve deri në këtë moment.